Një mosmarrëveshje për parkimin e veturave ka eskaluar në përleshje të dhunshme pasditen e së premtes në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku një person është sulmuar me brisk dhe ka përfunduar në QKUK, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Sheremet Kryeziu, rreth 60-vjeçar, ndërsa viktima D.J., rreth 46-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës 14:30, në parkingun e aeroportit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, mes Kryeziut dhe D.J fillimisht kishte nisur një mosmarrëveshje lidhur me parkimin e veturave, por situata më pas ka eskaluar.
Kryeziu dyshohet se gjatë konfliktit e ka sulmuar 46-vjeçarin me brisk, duke e lënduar në krahun e majtë.
Viktimës fillimisht i është ofruar trajtim mjekësor në Emergjencën e Aeroportit, ndërsa më pas, për shkak të lëndimeve, është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
I dyshuari është shoqëruar dhe intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit të palëve është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që Sheremet Kryeziu të ndalohet për 48 orë. Ai është dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.