Një 49-vjeçar ka përfunduar në ndalim policor, nën dyshimin se nuk e ka respektuar urdhrin mbrojtës të Gjykatës, i cili ia ndalonte kontaktin dhe afrimin me bashkëshorten e tij, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është A. M, i lindur në vitin 1977, ndërsa rasti është iniciuar më 4 shtator, në Fushë Kosovë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Gjykata kishte nxjerrë më herët aktvendim përmes të cilit A.M i ndalohej që, drejtpërdrejt apo përmes personave të tjerë, të komunikonte, shqetësonte, ngacmonte, ofendonte, kërcënonte, përndiqte apo vëzhgonte bashkëshorten e tij.
Urdhri përcaktonte edhe distancën që i dyshuari duhej ta mbante nga ajo – 30 metra në hapësirat private, përfshirë vendbanimin, dhe 20 metra në hapësirat publike.
Por, sipas deklarimit të gruas në Polici, urdhri i Gjykatës dyshohet se nuk është respektuar.
Rasti është raportuar në zonën e rrugës “Kongresi i Lushnjës” në Fushë Kosovë, pas së cilës është vënë në lëvizje Policia
Për rastin është kontaktuar prokurori kujdestar për dhunë në familje, i cili ka udhëzuar që ndaj 49-vjeçarit të iniciohet rast penal për “Mospërfillje të Gjykatës”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, M. është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.