Një vjedhje e rëndë ka ndodhur të dielën në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, ku hajnat kanë shfrytëzuar mungesën disaorëshe të një familjeje për të hyrë me forcë në shtëpinë e tyre dhe për të marrë stoli ari dhe mijëra euro para të gatshme.

Sinjali mëson se cak i vjedhjes ishte shtëpia e S. M. rreth 53-vjeç, ndërsa lidhur me rastin Policia ka arrestuar një 16-vjeçar, D.K.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 9 gusht, mes orës 15:00 dhe 19:00, derisa pronari dhe familjarët e tij kishin shkuar në Bajgorë.

Kur janë kthyer në shtëpi, ata kanë vërejtur se një dritare në katin e parë ishte hapur me forcë. Brenda shtëpisë, gjërat në dhomën e gjumit ishin përmbysur dhe rrobat ishin nxjerrë nga dollapi.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga shtëpia janë vjedhur stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro dhe 4 mijë euro para të gatshme – me një dëm të deklaruar prej rreth 10 mijë eurosh.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe Forenzika Rajonale, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Hetimet kanë çuar te një i mitur, D.K. rreth 16-vjeç, i cili është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi policor për 24 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe po hetohet më tej.