Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh me raste të shumta policore, nga dhuna në familje e vjedhjet, deri te dy raste tragjike të vdekjes.
Gruaja denoncon dhunë nga bashkëshorti në Gjakovë, i dyshuari në arrati
Një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike në Gjakovë.
Rasti është raportuar rreth orës 16:40 në rrugën “Nëna Terezë”, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në spital.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ajo është kthyer me dëshirën e saj në shtëpi, ndërsa i dyshuari nuk është lokalizuar dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Për rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit dhe hetimet po vazhdojnë.
Vjedhje e rëndë në një objekt në ndërtim në Prizren, vidhen shtatë televizorë
Një tjetër rast është raportuar në Prizren, ku një objekt që po ndërtohet për nevojat e Kuvendit Komunal është bërë cak i hajdutëve.
Nga objekti në rrugën “Rrust Kabashi” janë vjedhur shtatë televizorë, kabllo elektrike dhe sende të tjera, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, hetuesit, Hetimet Rajonale dhe Krim-teknika.
Rasti po hetohet si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa ende nuk janë identifikuar personat e dyshuar.
Tragjedi në Zym, 72-vjeçarja gjendet pa shenja jete pranë shtëpisë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur edhe në fshatin Zym të Prizrenit, ku një 72-vjeçare është gjetur pa shenja jete.
Sipas të dhënave fillestare, gruaja dyshohet se ka rënë nga ballkoni i shtëpisë, nga një lartësi prej rreth 2.5 metrash.
Dyshimet e para janë se rënia mund të ketë ndodhur pasi ishte dëmtuar ose lëshuar rrethoja prej druri e ballkonit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia, hetuesit, Krim-teknika dhe Sektori Rajonal i Hetimeve.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.
74-vjeçari dërgohet pa shenja jete në QKMF-në e Shtimes
Një tjetër rast vdekjeje është raportuar në Shtime, ku një 74-vjeçar nga Istogu është dërguar pa shenja jete në QKMF.
Personi ishte sjellë në institucionin shëndetësor nga familjarët e tij, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar se nuk kishte shenja jete.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.
Hajnat “bëhen gati” për dimër, vjedhin katër goma me fellne
Në Zherovnicë të Zveçanit, një pronar shtëpie ka raportuar vjedhjen e katër gomave të dimrit me fellne, në vlerë rreth 250 euro.
Policia ka konstatuar se dera e bodrumit ishte thyer, ndërsa dëmtime kishte edhe në derën hyrëse të shtëpisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe forenzika.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar.
Hetimet për të gjitha këto raste janë duke vazhduar nga njësitë kompetente.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.