Një rast i dyshuar i vrasjes në tentativë është regjistruar më 5 tetor në Vushtrri, ku një 23-vjeçar ka raportuar se ndaj tij është shtënë me armë zjarri.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 18:10, në rrugën “Shemsi Istrefi”, Sh.L ndodhej ulur në një fast food me një person tjetër, kur i dyshuari Gazmend Lahu dyshohet se ka mbërritur me veturë dhe ka shtënë në drejtim të tij.

Sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari i është drejtuar edhe me fjalë fyese dhe kërcënuese gjatë incidentit.

Sh.L ka deklaruar se dyshon që rasti lidhet me një konflikt të mëhershëm, për të cilin tashmë ekziston një rast i hapur në Polici.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar dhe askush nuk ka pasur nevojë për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa Hetimet Rajonale kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes. Gëzhojat e gjetura janë sekuestruar si prova materiale.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe kapjen e të dyshuarit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.