Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) për të hetuar veprimet policore të ndërmarra gjatë protestave të ditës së djeshme.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetuesit e IPK-së do të ndërmarrin veprime për trajtimin e secilit rast që lidhet me zhvillimet në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Qëllimi i autorizimit është grumbullumi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave.”

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të synojnë sqarimin e plotë të rrethanave dhe trajtimin e rasteve ku dyshohet për përdorim të forcës përtej nevojës dhe autorizimeve policore.