Sot do t’i jepet lamtumira e fundit vëllezërve Hajdar dhe Bujar Matarova, të cilët humbën jetën mbrëmë në aksidentin e rëndë të trafikut në fshatin Surkish të Podujevës, rast për të cilin Gazeta Sinjali raportoi më herët.

Sipas njoftimit mortor të familjes, varrimi i dy vëllezërve do të bëhet sot, më 17 gusht, në ora 19:00, në varrezat e fshatit Dumnicë, te “Lisi i Shegës”.

Hajdar Matarova, i lindur më 2 mars 1991, dhe Bujar Matarova, i lindur më 5 nëntor 1996, humbën jetën pas përplasjes së rëndë mes një Volkswagen Golf me targa gjermane dhe një BMW-je.

Aksidenti ndodhi më 16 gusht, rreth orës 22:30, në afërsi të marketit “Hana Center” në Surkish.

Dy vëllezërit ndodheshin në Golf dhe, si pasojë e lëndimeve të rënda, humbën jetën.

Sinjali ka mësuar se drejtuesi i BMW-së është Getoar Ajvazi, 31 vjeç. Ai ka pësuar lëndime trupore dhe, pas trajtimit mjekësor, me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.

Në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa Njësia e Hetimeve të Trafikut është autorizuar të hetojë rrethanat e aksidentit.

Trupat e pajetë të viktimave janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për obduksion.

Shkaku i aksidentit ende nuk është përcaktuar dhe mbetet objekt i hetimeve.