Një mjek është sulmuar derisa ishte duke kryer detyrën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozhoran të Vitisë, ndërsa personi i dyshuar për rastin është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Mubekir Veseli, rreth 39-vjeçar nga fshati Ballancë, ndërsa viktima është mjeku A.Q., rreth 41-vjeçar
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, incidenti ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës 02:40, brenda Qendrës së Mjekësisë Familjare në Pozhoran.
Veseli dyshohet se, derisa ndodhej në këtë qendër, ka sulmuar mjekun Qoqaj në kohën kur ky i fundit ishte duke ushtruar detyrën e tij.
Pas veprimeve policore, rreth orës 11:00, i dyshuari është arrestuar dhe më pas është intervistuar në zyrat e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Gjilan, në praninë e avokatit mbrojtës.
Në kuadër të hetimeve, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur një sprej OC.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, Veseli është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.