Të shtëna të shumta me armë zjarri janë raportuar pasditen e së premtes në fshatin Marec të Prishtinës, ndërsa personat e dyshuar janë larguar nga vendi para mbërritjes së Policisë, mëson Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti ka ndodhur më 14 gusht, mes orës 17:00 dhe 17:30, në rrugën “Nazmi Canolli”.

Policia është njoftuar përmes telefonit nga një person, i cili ka raportuar se disa persona kishin shtënë me armë zjarri dhe më pas ishin larguar nga lokacioni.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në disa gëzhoja. Në lokacion kanë dalë më pas edhe hetuesit dhe Forenzika për ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Burimet bëjnë të ditur se në total janë gjetur dhe sekuestruar 13 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, çka ngre dyshimet për përdorimin e më shumë se një arme.

Në zonën ku ka ndodhur incidenti ka edhe kamera të sigurisë, pamjet e të cilave mund t’u shërbejnë hetuesve për identifikimin e personave të përfshirë.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Përdorim të armës” dhe ndërmarrjen e veprimeve për identifikimin e të dyshuarve.

Deri më tani, nuk raportohet për persona të arrestuar.