Një aheng familjar në fshatin Ngucat të Malishevës është shoqëruar me të shtëna me armë, duke bërë që Policia të intervenojë dhe të sekuestrojë armën e përdorur, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Shpejtim Krasniqi 34-vjeçar, i cili dyshohet se gjatë një dasme ka shtënë disa herë në ajër.
Rasti ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës 10:40, pasi Policia ka pranuar një informatë anonime se në një aheng familjar në Ngucat po kishte të shtëna me armë.
Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka identifikuar lokacionin dhe personin e dyshuar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Krasniqi ka pranuar para Policisë se kishte shtënë pesë herë në ajër me një revole me gaz, të cilën më pas ua ka dorëzuar vullnetarisht zyrtarëve policorë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole me gaz “Bruni”, kalibër 9 mm, prodhim italian, pa numër serik, si dhe pesë gëzhoja të kalibrit 9 mm.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti për mbajtje të paautorizuar dhe përdorim të armës.
Pas intervistimit, Krasniqi është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.