Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së martës fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit, ku një konflikt mes dy personave dyshohet se eskaloi në tentim vrasjeje, pasi njëri prej tyre hapi zjarr në drejtim të një veture në lëvizje.

Sinjali mëson se i dyshuari është Flamur Ibrahimi, rreth 41-vjeçar, ndërsa viktimë e rastit E.H., rreth 33-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:35, kur viktima po lëvizte me një BMW me targa gjermane në drejtimin Gadime e Epërme – Gadime e Ulët. Në afërsi të shkollës së mesme, rruga i është bllokuar nga një veturë Audi me ngjyrë hiri.

Nga automjeti, sipas kallëzimit të viktimës, ka zbritur Flamur Ibrahimi, i cili fillimisht ka tentuar ta sulmojë fizikisht. Më pas, derisa viktima ishte larguar me veturë, i dyshuari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të BMW-së, ku njëra prej predhave ka goditur automjetin në anën e djathtë, mbi derën e pasagjerit.

Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit rajonalë të krimeve të rënda, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme. Arma që dyshohet se është përdorur në incident është sekuestruar, ndërsa palët janë intervistuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Flamur Ibrahimi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Përdorim i armës”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.