Një konflikt mes dy personave në fshatin Rracaj të Gjakovës ka eskaluar në kanosje me thikë, përdorim të sprejit dhe përfshirje të Policisë, ndërsa njëri prej të dyshuarve ende nuk është hasur.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 14:00.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas një mosmarrëveshjeje mes Lirim Ramës, 30-vjeçar, dhe Jetmir Bunjakut, 38-vjeçar, situata ka marrë një rrjedhë më serioze.
Bunjaku dyshohet se gjatë konfliktit ka nxjerrë një thikë dhe e ka kanosur Ramën.
Ky i fundit, në përpjekje për t’ia larguar thikën nga dora, dyshohet se e ka goditur me shqelm në dorë, por nuk ka arritur ta neutralizojë mjetin e mprehtë.
Më pas, Rama ka nxjerrë sprejin dhe ia ka hedhur në sy Bunjakut.
Pas incidentit, ky i fundit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri më tani nuk është hasur nga organet e rendit.
Ndërkohë, Lirim Rama është intervistuar në Stacionin Policor në Gjakovë, ndërsa spreji që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit është sekuestruar.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, Rama është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosja” dhe “Sulmi”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe lokalizimin e personit tjetër të përfshirë po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.