Një aksident i rëndë trafiku me dy viktima ka ndodhur mbrëmë në fshatin Surkish të Podujevës, ku janë përfshirë dy automjete, ndërsa një person tjetër ka mbetur i lënduar, mëson Sinjali.

Aksidenti ka ndodhur më 16 gusht, rreth orës 22:30, në afërsi të marketit “Hana Center”.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, në aksident janë përfshirë një Volkswagen Golf me targa gjermane dhe një BMW.

Përplasja ka rezultuar fatale për shoferin dhe pasagjerin që ndodheshin në Golf, të dy nga fshati Dumnicë e Podujevës.

Viktima të aksidentit kanë mbetur vëllezërit Hajdar dhe Bujar Matarova.

Ndërkohë, Sinjali ka mësuar se i arrestuari është Getoar Ajvazi, 31 vjeç.

Ajvazi ka pësuar lëndime trupore dhe, pas trajtimit mjekësor, me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar Njësinë e Hetimeve të Trafikut që të merret me zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka tërhequr trupat e pajetë, të cilët janë dërguar për obduksion.

Shkaku i aksidentit ende nuk është përcaktuar dhe mbetet objekt i hetimeve.