Një person me inicialet I.M. është arrestuar të dielën në Zveçan nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë trazirave të majit të vitit 2023.
Arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas një sërë veprimesh hetimore.
I.M. dyshohet për disa vepra penale, përfshirë sulmin ndaj personit zyrtar, pjesëmarrjen në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkimin për veprimtari kundërkushtetuese si dhe rrezikimin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari lidhet me ngjarjet e majit 2023, kur pati përplasje dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve policorë në veri të vendit.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.