Një grabitje në tentativë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Sodovinë e Qerkezëve në Viti, ku tre persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi, kanë sulmuar një grua dhe kanë kërkuar para.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 22:00, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 22:10, viktima F. M. ka raportuar ngjarjen në Polici.

Sipas deklarimit të saj, tre persona të maskuar, të cilët dyshohet se kanë qenë edhe të armatosur, kanë hyrë në shtëpinë e familjes dhe menjëherë kanë nisur ta kërkojnë paranë.

Njëri prej tyre dyshohet se e ka goditur gruan me grusht në fytyrë, ndërsa të tjerët kanë kontrolluar hapësirat e shtëpisë në kërkim të parave.

Pas largimit të tyre është konstatuar se, përveç demolimeve të shkaktuara brenda shtëpisë, nuk vërehej se mungonte ndonjë gjë.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar tre persona duke hyrë në shtëpi dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Deri në këtë fazë nuk është identifikuar ndonjë veturë e dyshuar që mund të jetë përdorur për largimin e tyre.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara gjatë sulmit.

Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe Njësia e Hetimeve.

Për shkak të seriozitetit të rastit, Stacioni Policor në Viti ka aktivizuar edhe “Unazën e Çeliktë”, duke vendosur pika kontrolli në terren në kërkim të tre personave të dyshuar.

Për rastin është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, me të cilin, pas konsultimit, është iniciuar rasti “Grabitje në tentativë”.

Tre të dyshuarit mbeten ende të paidentifikuar, ndërsa hetimet dhe kërkimet për kapjen e tyre po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.