Tre persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Fajdeja”, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës.

Operacioni është realizuar nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, pas një hetimi të zhvilluar përmes aplikimit të masave të fshehta të hetimit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ai nuk është ndalur me automjet dhe ka tentuar të arratiset.

Gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur një këmbësore 17-vjeçare, e cila ka pësuar lëndime trupore, por ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu, ai ka goditur edhe një zyrtar policor, hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore.

“Gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, i dyshuari nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen. Gjatë ikjes, i njëjti ka goditur një këmbësore, femër, 17-vjeçare, e cila, sipas vlerësimit të mjekëve, ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë. Po gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur edhe një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, i njëjti është ndaluar dhe arrestuar”, ka deklaruar Bytyqi.

Policia ka bërë të ditur se gjatë arrestimit të të dyshuarit kryesor janë gjetur dhe sekuestruar edhe para që dyshohet se janë përdorur për qëllime të simulimit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave që lidhen me këtë çështje./Telegrafi.