Një aheng familjar në fshatin Sallabajë të Podujevës është ndërprerë nga të shtënat me armë, pasi një 36-vjeçar dyshohet se ka shtënë tri herë në ajër.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 17 shtator, rreth orës 20:50.
Pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me të dyshuarin, Kastriot Nazifi.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ai ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri dhe më pas ua ka dorëzuar policëve pistoletën, për të cilën posedonte leje.
Megjithatë, me autorizim të Prokurorit kujdestar, është kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit dhe të familjarëve të tij, por nuk është gjetur ndonjë send tjetër i dyshuar.
Në cilësi të provave materiale, Policia ka sekuestruar një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, një karikator, një fishek, lejen për armë dhe tri gëzhoja të shkrepura, të cilat dyshohet se i përkasin së njëjtës armë.
36-vjeçari është intervistuar lidhur me rastin.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.