Një 43-vjeçar është ndaluar mbrëmjen e 17 shtatorit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi gjatë verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishin aktive plot tri urdhëresa gjyqësore.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Viktor Keqajn, rreth 43-vjeçar, i cili është ndaluar rreth orës 20:00 gjatë procedurave në Aeroport.
Pas verifikimit në sistem, ka rezultuar se Keqaj kërkohej në lidhje me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njëra prej urdhëresave lidhej me një dënim prej një viti burgim efektiv.
Dy urdhëresat tjera lidhen me dënime me gjobë që, për shkak të mospagesës, ishin shndërruar në burgim.
Një gjobë prej 600 eurosh ishte zëvendësuar me 20 ditë burgim, ndërsa një tjetër prej 300 eurosh ishte shndërruar në 15 ditë burgim.
Pas realizimit të tri urdhëresave, 43-vjeçari është dërguar në Qendrën Korrektuese në Hajvali për vuajtjen e dënimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.