Pas gati tre muajsh në arrati, Policia ka arritur ta arrestojë Mehmet Kryeziun, i cili dyshohet se ishte arratisur më 20 korrik nga QKMF-ja në Suharekë, derisa ndodhej nën masën e ndalimit policor.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se arrestimi është realizuar më 7 tetor nga Sektori i Hetimeve në Suharekë, pas veprimeve operative për lokalizimin e tij.

Kryeziu ishte ndaluar më herët për disa raste të vjedhjeve dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ishte nën masën e ndalimit për 48 orë. Gjatë kësaj kohe ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-në e Suharekës, prej nga dyshohet se ishte arratisur më 20 korrik.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë periudhës sa ka qenë në arrati, ai dyshohet se ka kryer edhe raste të tjera të vjedhjeve.

Deri më tani, raste të tilla dyshohet se janë evidentuar nga njësitë policore në Klinë dhe Ferizaj.

Pas arrestimit, për rastin është konsultuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Hetimet për rastin e arratisjes dhe veprat e tjera penale për të cilat ai dyshohet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.