Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka folur për mediat lidhur me situatën e krijuar në minierën e Stantërgut, ku një numër i minatorëve kanë mbetur të ngujuar pas një defekti në sistemin e energjisë elektrike.

Januzi ka bërë të ditur se defekti ka ndodhur rreth orës 19:30, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin e tunelit të parë.

Sipas tij, një pjesë e minatorëve kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative, ndërsa minatori i parë tashmë ka arritur të dalë nga miniera.

Ai ka bërë të ditur se me minatorët ka komunikim përmes linjës telefonike me tela induktiv, ndërsa gjendja e tyre, sipas tij, është stabile.

“Për gjendjen e tyre për momentin është stabile, nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar Januzi.

Megjithatë, ai ka treguar se njëri prej minatorëve raportohet të ketë problem me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.

Januzi ka thënë se, bazuar në informacionet nga vendi i ngjarjes dhe komunikimin me menaxhmentin, linja që furnizon minierën nuk duket të ketë defekte të mëdha dhe mund të riparohet në një kohë më të shkurtër.

“Sipas informatave që mora nga vendi i ngjarjes dhe në komunikim me menaxhmentin atje, linja që e furnizon [me energji elektrike] nuk po duket që ka defekte të mëdha dhe mund të jenë të riparueshme në një kohë pak më të shpejt, ndërsa pjesa e flotacionit ka defekte të mëdha, po nuk shkakton shumë probleme, sepse nuk lidhet me ashensorin, me të cilin mund t’i nxjerrim minatorët nga miniera… Fatkeqësisht mungesa e investimeve dhe trafostacionet e stërvjetëruara po bën që shpesh të mbesin të mbyllur.”, tha Jonuzi.

Ai ka theksuar se defektet në pjesën e flotacionit nuk paraqesin pengesë për nxjerrjen e minatorëve, pasi nuk lidhen me liftin që përdoret për transportimin e tyre nga miniera.

Kryetari i Sindikatës ka kritikuar mungesën e investimeve dhe gjendjen e vjetërsuar të pajisjeve, duke thënë se raste të tilla janë përsëritur edhe më parë.