Një rast i pazakontë, i regjistruar në prill të këtij viti në oborrin e shkollës “Zejnel Salihu” në Pomozotin të Fushë Kosovës, ka marrë zhvillim të ri disa muaj më vonë.

Sinjali mëson se Policia ka ndaluar mbrëmë 22-vjeçaren Arbnora Seferi, e cila ishte identifikuar si e dyshuar në rastin që lidhet me posedimin e një arme të gjatë.

Ngjarja fillestare ishte regjistruar më 1 prill, kur disa persona kishin hyrë në oborrin e shkollës. Në mesin e tyre ishte parë edhe një vajzë duke mbajtur një çantë, brenda së cilës dyshohej se ndodhej një armë e gjatë.

Hetimet kishin vazhduar edhe ditëve në vijim dhe më 9 prill Policia kishte siguruar prezencën e personave të përfshirë në rast.

Gjatë intervistimit, Seferi kishte treguar vendndodhjen e armës, ndërsa më pas, në bashkëpunim me njësinë e forenzikës, ishte sekuestruar një pushkë gjuetie me dylbi optike.

Arma ishte deponuar në dhomën e dëshmive në Fushë Kosovë, ndërsa ndaj 22-vjeçares ishte iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në atë kohë, ajo ishte liruar në procedurë të rregullt.

Mirëpo, mbrëmë rreth orës 22:45, Seferi është ndaluar nga Policia.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ajo është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.

Rasti po vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.