Një debat brenda familjes në Bellanicë të Malishevës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi një baba dyshohet se e ka shtyrë djalin e tij gjatë një mosmarrëveshjeje ku ishin përfshirë edhe anëtarë të tjerë të familjes.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur të premten, më 30 tetor, rreth orës 23:15, ndërsa rasti është raportuar si dhunë në familje.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, gjithçka ka nisur me një debat verbal në familje, gjatë të cilit janë përdorur edhe fjalë fyese.
Në përpjekje për ta qetësuar situatën, djali kishte ndërhyrë, por në atë moment babai, me inicialet N.Z., dyshohet se e kishte shtyrë me duar për ta larguar.
Përplasja ka përfunduar me denoncim në Polici, ku si palë të dëmtuara janë paraqitur djali, Q.Z., dhe bashkëshortja e tij, M.Z.
Pas trajtimit të rastit dhe konsultimit me organet kompetente, është iniciuar procedura për veprën penale “Dhuna në familje”.
Palët janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rrethanat e incidentit mbeten për t’u sqaruar gjatë hetimeve.