Një grua në Prishtinë ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre. Por denoncimi ka nxjerrë në pah edhe një tjetër pretendim shqetësues: gruaja ka deklaruar se nuk ishte hera e parë që burri ushtronte dhunë fizike ndaj saj.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të premten, më 30 tetor, rreth orës 20:00, në rrugën “Riqard Holbruk” në Prishtinë, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 20:30.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gruaja, me inicialet S.S.D., ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, N.D., ky i fundit e kishte goditur me shuplakë në fytyrë.

Mirëpo, gjatë raportimit, ajo ka pohuar se edhe më parë kishte qenë viktimë e dhunës fizike nga bashkëshorti.

Rasti është trajtuar nga zyrtarja policore përgjegjëse për rastet e dhunës në familje, ndërsa për incidentin janë njoftuar organet kompetente.

Pavarësisht denoncimit dhe pretendimeve për dhunë të mëparshme, pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Hetimet do të përcaktojnë rrethanat e incidentit dhe përgjegjësinë eventuale penale të të dyshuarit.