Një tjetër vjedhje armësh është raportuar në Kosovë, kësaj radhe në Prishtinë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë marrë katër armë zjarri, përfshirë tri armë gjuetie dhe një pistoletë të tipit “Sig Sauer”.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur të premten, më 30 tetor, në rrugën “Jashar Bej Shkupi”, ndërsa vjedhja është raportuar në Polici rreth orës 22:20.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rastin e ka denoncuar Sh. V. rreth 50-vjeçar, e cila ka deklaruar se gjatë intervalit kohor nga ora 17:00 deri në 22:20, nga shtëpia e saj ishin zhdukur katër armë.

Por ajo që e bën rastin veçanërisht shqetësues është se tri nga armët e vjedhura ishin armë të gjata gjuetie, për të cilat ankuesja ka deklaruar se posedonte lejet përkatëse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Përveç tyre, nga shtëpia është raportuar e vjedhur edhe një pistoletë e markës “Sig Sauer”.

Pas denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare për trajtimin e rastit.

Me vendim të organeve kompetente, është iniciuar hetimi për veprën penale “Vjedhja e rëndë”, ndërsa personi apo personat që dyshohet se qëndrojnë pas vjedhjes mbeten ende të paidentifikuar.

Ende nuk dihet se si është realizuar hyrja në shtëpi dhe ku kanë përfunduar armët e raportuara të vjedhura.

Rasti vjen në të njëjtën ditë kur Sinjali raportoi ekskluzivisht për zhdukjen e mbi 100 armëve të shkurtra nga depoja “Tactical” në Gjakovë, me dëm të vlerësuar mbi 100 mijë euro.

Nuk ka informacione që i lidhin dy rastet, mirëpo vjedhja e raportuar e një numri kaq të madh armësh brenda së njëjtës ditë ngre shqetësime serioze për sigurinë dhe për nevojën e lokalizimit të tyre.

Hetimet për rastin në Prishtinë po vazhdojnë.