Një urdhër mbrojtës aktiv nuk ia kishte larguar frikën një gruaje në Prishtinë, e cila është paraqitur sërish në Polici për ta denoncuar ish-bashkëshortin. Këtë herë, përveç kërcënimeve të pretenduara, ajo kishte ngritur edhe një shqetësim tjetër: dyshimin se ai posedonte armë në shtëpi.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar më 29 tetor, rreth orës 16:00, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gruaja, me inicialet A.M., ka deklaruar se ishte ndarë prej rreth dy vjetësh nga ish-bashkëshorti E.V., me të cilin ka katër fëmijë.

Për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, ajo kishte edhe një urdhër mbrojtës aktiv ndaj tij.

Por, sipas deklarimit të saj, ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar me fjalë kohë më parë, ndërsa ajo dyshonte se ai mbante armë në shtëpi.

Denoncimi ka vënë në lëvizje hetuesit policorë, të cilët, me autorizimin përkatës, kanë kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit në rrugën “Lezha” në Prishtinë.

Kontrolli nuk ka rezultuar me gjetjen e ndonjë arme apo sendi tjetër të dyshimtë.

I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ku ka mohuar pretendimet për dhunë dhe kanosje.

Megjithatë, pas konsultimit me organet kompetente, rasti është iniciuar si “Dhuna në familje”, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rrethanat e kërcënimit të raportuar mbeten nën hetim, ndërsa ende nuk është konstatuar ndonjë shkelje e urdhrit mbrojtës.