Bashkëshortja e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, ka deklaruar në Polici se ka përjetuar vazhdimisht dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk bashkëjeton prej disa muajsh.
Arrestimin e Berishës e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se pas raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, ndalimin e tij për 48 orë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Ajo bëri të ditur se masa është marrë me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
“Ju konfirmojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Shalës për Sinjalin.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.