Ka ndërruar jetë 26-vjeçari i dyshuar për rastin e “Vrasjes së rëndë” që ndodhi më 23 gusht në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Sipas Elezajt, i dyshuari ka vdekur sot, më 27 gusht, rreth orës 17:15, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohej për plagët e marra nga arma e zjarrit.
“I dyshuari në rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’, e cila ka ndodhur më datë 23.08.2026, në fshatin Kërvasari, Komuna e Malishevës, sot, më 27.08.2026, rreth orës 17:15, ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Elezaj.
Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte bërë të ditur se viktima ishte bashkëshortja e të dyshuarit, i cili po ashtu kishte marrë plagë të rënda nga arma e zjarrit.
26-vjeçari ishte dërguar për trajtim në QKUK dhe fillimisht ishte raportuar se gjendej në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.