Një rast jashtëzakonisht i ndjeshëm që përfshin disa të mitur është duke u hetuar nga organet kompetente në rajonin e Prizrenit, pasi një video-incizim me përmbajtje seksuale kishte nisur të qarkullonte mes nxënësve të një shkolle.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është zbuluar më 23 shtator, rreth orës 15:50, në fshati Buqe të Dragashit, pasi psikologu i një shkolle fillore ka njoftuar organet kompetente se te disa nxënës po qarkullonte një video ku shihej një djalë duke prekur në pjesët intime një vajzë të mitur.
Pas pranimit të informacionit, janë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore dhe është njoftuar Prokuroria.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit kanë arritur ta identifikojnë viktimën, e cila është e mitur. Për shkak të natyrës së rastit dhe mbrojtjes së saj, Sinjali nuk do të publikojë emrin, inicialet, shkollën apo të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e saj.
E mitura është intervistuar drejtpërdrejt nga Prokurori i Shtetit, në praninë e nënës dhe përfaqësuesve për mbrojtjen e viktimave, ndërsa më pas është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Gjatë hetimeve janë identifikuar edhe personat e dyshuar.
Njëri prej tyre, rreth 19-vjeçar është ndaluar për 48 orë nën dyshimet që lidhen me veprën penale “Dhunim”, ndërsa një tjetër i mitur është ndaluar për 24 orë.
Dy të mitura të tjera janë intervistuar në praninë e prindërve dhe avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë, janë ndaluar po ashtu për 24 orë, lidhur me dyshimet për materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
Për shkak se të gjithë personat e përfshirë, me përjashtim të njërit, janë të mitur dhe çështja lidhet me përmbajtje seksuale të një fëmije, Sinjali nuk publikon identitetet e tyre.
Rasti po vazhdon të hetohet nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren, ndërsa pritet të sqarohet roli individual i secilit person të përfshirë, mënyra se si është krijuar dhe shpërndarë video-incizimi, si dhe të gjitha rrethanat e tjera të rastit.