Dy persona të dyshuar për një rast të rëndë të ndodhur më 20 shtator në Skenderaj janë vetëdorëzuar dhe tashmë ndodhen në paraburgim, pasi ndaj tyre po zhvillohen hetime për “Vrasje në tentativë”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima, J.V., 34-vjeçar, ishte sulmuar rreth orës 22:20 në pompën e derivateve “Fer Petrol” në rrugën “Azem Bejta”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima fillimisht ishte goditur me një mjet të mprehtë në gjoks, e më pas edhe në këmbën e majtë, ndërsa dy të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima fillimisht kishte marrë ndihmë mjekësore në QKMF në Skenderaj, ndërsa më pas ishte dërguar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Jugut.
Burimet bëjnë me dije se, sipas dyshimeve fillestare, motivi i incidentit lidhet me angazhimin e viktimës si sekretar i Shoqatës së Gjuetisë “Drenica”.
Njëri prej të dyshuarve dyshohet se i ishte drejtuar viktimës lidhur me vendosjen e kamerave të sigurisë në male, të cilat shërbenin për vëzhgimin dhe evidentimin e rasteve të gjuetisë së paligjshme.
Pas sulmit, njësitë përkatëse kanë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve, por ata nuk ishin gjetur. As mjeti me të cilin dyshohet se ishte goditur viktima nuk ishte gjetur në vendin e ngjarjes.
Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Ndërkohë, në vazhdim të hetimeve, D.G., 41-vjeçar, dhe G.A., 43-vjeçar, janë vetëdorëzuar në Sektorin Rajonal për Hetime.
Pas përfundimit të procedurave, të dy janë dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Të dy të dyshuarit janë dërguar në Qendrën e Paraburgimit.