Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit, si dhe plagosjes së një anëtari tjetër të familjes.

Përmes një njoftimi, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike, duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimave, ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.

“Kjo humbje tragjike e jetëve nënvizon koston shkatërruese njerëzore të dhunës me bazë gjinore. Një dhunë e tillë është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet kurrë apo të konsiderohet çështje private”, tha Due.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që të sigurojnë llogaridhënie në përputhje me procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Po ashtu, shefi i UNMIK-ut ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të koordinuara për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e grave dhe vajzave, si dhe sigurimin e qasjes në shërbimet mbështetëse.