Një rast që fillimisht u raportua si sulm ndaj disa të miturve në Podujevë ka marrë tjetër rrjedhë pas veprimeve shtesë policore, pasi tre prej personave që në fillim trajtoheshin si viktima tashmë janë futur në rast në cilësinë e të dyshuarve.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 10:20, në kafebarin “Jara”, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë.

Sipas informacioneve fillestare, Benjamin Vllasa kishte mësuar se vëllai i tij ishte rrahur dhe më pas kishte shkuar në lokal, ku dyshohet se kishte sulmuar fizikisht, duarthatë, disa të mitur.

Gjatë kontrollit policor, Vllasës i është gjetur një thikë, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Por hetimet nuk kanë përfunduar me kaq.

Sipas informatave shtesë që ka siguruar Sinjali, pas një konsultimi tjetër me Prokurorin e Shtetit është vendosur që tre të miturit, E.P., E.I. dhe F.N., të cilët fillimisht trajtoheshin si viktima, të përfshihen në rast si të dyshuar.

Dyshohet se edhe ata e kanë sulmuar fizikisht Benjamin Vllasën, ndërsa ky i fundit ka pranuar trajtim mjekësor.

Sipas të dhënave të rastit, tre të miturit kanë pranuar verbalisht se e kishin sulmuar Vllasën.

Rasti po trajtohet për “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e përleshjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.