Dy automjete të tipit Pickup, të parkuara prej rreth dy vitesh në një parcelë pranë pompës së derivateve “Kastrati” në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë, janë raportuar të zhdukura, ndërsa Policia ka nisur hetimet për vjedhje të rëndë.

Sinjali mëson se ankues në këtë rast është A.I., rreth 25-vjeçar, ndërsa automjetet ishin në pronësi të B.M.

Sipas burimeve, ankuesi ka deklaruar se në parcelën që ndodhet prapa pompës “Kastrati” ishin të parkuara një Peugeot Pickup dhe një Citroën Pickup, të cilat nuk ishin në gjendje pune, ndërsa dokumentacioni i tyre ndodhej brenda automjeteve.

Ai ka bërë të ditur se automjetet ishin parë për herë të fundit në fillim të muajit korrik, por nuk ka mundur të përcaktojë datën e saktë të zhdukjes.

Vlera e përgjithshme e dy automjeteve vlerësohet të jetë rreth 5 mijë deri në 6 mijë euro.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë”.

Policia po zhvillon hetime për identifikimin e autorëve dhe lokalizimin e automjeteve të zhdukura.