Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një objekt përcjellës në fshatin Koshtovë të Mitrovicës pak para mesnatës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sinjali mëson se pronar i objektit të përfshirë nga zjarri është Xh.L., rreth 44-vjeçar, ndërsa shkaktari i zjarrit ende nuk dihet.
Rasti është raportuar më 8 gusht, rreth orës 23:50, kur Policia është njoftuar se një stallë në rrugën “Hysen Latifi” ishte përfshirë nga flakët.
Njësitë policore dhe ekipet e zjarrfikësve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku pas intervenimit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale dyshohet se janë të mëdha.
Sipas deklarimit të pronarit, brenda stallës ndodheshin një traktor, katër motoçikleta, kosë bari dhe mjete të tjera pune, ndërsa dëmi i përgjithshëm është vlerësuar prej tij në rreth 15 deri në 20 mijë euro.
Për momentin nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, ndërsa nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa Njësia e Hetimeve ka nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të incidentit.