Një shofer është gjobitur me 500 euro dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për gjashtë muaj në territorin e Kosovës, pasi është kapur duke qarkulluar me 178 kilometra në orë në një segment ku shpejtësia e lejuar ishte 60 km/h.

Rasti është evidentuar më 6 gusht 2026, rreth orës 09:42, në rrugën transitore, në segmentin Davidovc–Belincë në Komunën e Shtimes, gjatë kontrolleve të shtuara të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor.

Sipas Policisë Rajonale në Ferizaj, shoferi A.M., 49 vjeç, ishte duke drejtuar një veturë BMW M5 me targa të huaja, kur u evidentua se po tejkalonte në mënyrë të konsiderueshme kufizimin e shpejtësisë.

Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, ndërsa i është caktuar edhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj në territorin e Republikës së Kosovës.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se kontrollet në trafik do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë rrugore.

Policia ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafik në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, si dhe përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.