Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se gjatë vitit 2025 dhe pesë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 993 aksidente trafiku ku kanë qenë të përfshira mjete me dy rrota, prej të cilave 17 kanë përfunduar me fatalitet.

Në një përgjigje për Sinjalin, Policia ka njoftuar se vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 733 aksidente me mjete me dy rrota, 12 prej tyre me fatalitet.

Ndërkaq, nga janari deri në maj të vitit 2026, janë evidentuar 260 aksidente të tilla, prej të cilave pesë kanë përfunduar me fatalitet.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se vazhdimisht shqipton gjoba dhe konfiskon mjete me dy rrota që hasen duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat e trafikut.

Megjithatë, PK-ja ka sqaruar se statistikat e gjobave nuk ndahen sipas llojit të mjetit, pasi masat shqiptohen për të gjitha kundërvajtjet në bazë të legjislacionit në fuqi.

Përveç masave ndëshkuese, Policia ka bërë të ditur për Sinjalin se gjatë vitit 2025 dhe periudhës janar–maj 2026 ka zhvilluar vazhdimisht fushata vetëdijësuese për sigurinë në trafik, përfshirë edhe ato që u dedikohen drejtuesve të mjeteve me dy rrota.