Një aheng familjar në fshatin Obranqë të Podujevës është shoqëruar me të shtëna mbrëmjen e së dielës, duke bërë që Policia të intervenojë në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se personi i dyshuar është Arsim Cunaku rreth 51-vjeç, i cili para zyrtarëve policorë ka pranuar se kishte shtënë disa herë me armë me gaz.
Rasti është raportuar më 9 gusht, rreth orës 21:30, pasi Policia kishte marrë informacion se gjatë një ahengu familjar në fshatin Obranqë po kishte të shtëna.
Njësitë policore kanë dalë në lokacion, ku kanë kontaktuar me Cunakun. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 51-vjeçari ka pranuar se kishte shtënë disa herë gjatë ahengut dhe më pas e ka dorëzuar vullnetarisht a*mën me gaz.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur edhe gjashtë gëzhoja.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të a*mës” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.