Një aksion i gjerë i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda është zhvilluar më 24 shtator në kuadër të operacionit “Strong”, nën dyshimet për veprimtari të kundërligjshme që lidhen me importin dhe shitjen e paautorizuar të armëve.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ndërsa janë kontrolluar dy lokacione në fshatin Zabel të Drenasit.

Në fokus të hetimeve janë Hashim Rexhepi, 56-vjeçar, Bajram Rexhepi, 28-vjeçar dhe Atdhetar Rexhepi, 34-vjeçar, të cilët dyshohet se lidhen me veprimtari të kundërligjshme të trafikimit me armë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy prej të dyshuarve janë shoqëruar për intervistim në DHKOKR, ndërsa personi i tretë nuk është gjetur në shtëpi gjatë realizimit të operacionit.

Kontrollet kanë rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh, municioni dhe provash të tjera materiale.

Në njërin prej lokacioneve janë sekuestruar disa pistoleta, përfshirë një Taurus G2, një Glock 18 dhe një Zigana KC, si dhe një pushkë Zastava 8×57 mm, një pushkë gjuetie dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Në të njëjtin lokacion janë gjetur edhe disa leje armësh, dy telefona iPhone dhe 1 mijë e 850 euro para të gatshme.

Hetimi është shtrirë edhe në poligonin “Fazani”, ku janë evidentuar armë të tjera, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie, një pushkë ajrore dhe një armë të gjatë, si dhe një sasi e madhe municioni.

Vetëm në këtë lokacion janë evidentuar 650 fishekë të kalibrit 9×19 mm Luger, 53 fishekë të kalibrit .22 Long dhe 20 fishekë .308 Win për pushkë të gjatë.

Po ashtu, në poligon janë evidentuar edhe armë të tjera që ndodheshin në ruajtje.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se armët e gjetura në poligon janë evidentuar dhe më pas janë futur në sefin e objektit, i cili është mbyllur dhe bllombuar nga zyrtarët kompetentë.

Rasti po hetohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Pas intervistimit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të Prokurorit, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.