Deri dje të ndarë. Sot, kur votat duheshin për “Pastrimin”, dallimet u shkrinë.
Në Asamblenë e Prishtinës është votuar sot me 34 vota themelimi i ndërmarrjes së re komunale të pastrimit, projekt i shtyrë nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Por përtej vetë vendimit, ajo që bie në sy është matematika politike që e bëri të mundur atë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali nga burime brenda strukturave komunale, 11 asamblistë të bllokut të Përparim Ramës dhe 4 të lidhur me Lumir Abdixhikun u rreshtuan sot në të njëjtën anë të votës.
Katër vota që, sipas burimeve tona, deri më sot nuk kishin qenë në dispozicion të propozimeve të Ramës, këtë herë u bashkuan me të.
Dhe pikërisht te “Pastrimi”.
Vetëm dy javë më parë, më 11 shtator, propozimi për ndërmarrjen e re kishte dështuar. Kishte marrë 32 vota, ndërsa për miratim nevojiteshin 34.
Sot, ato vota u gjetën.
Në njërën anë, pra, janë Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama, njerëzit e të cilëve, sipas burimeve të Sinjalit, këtë herë i shkrinë dallimet dhe votuan bashkë.
Në anën tjetër është KRM “Pastrimi” dhe rreth 1,200 punëtorët e saj.
Burime të Sinjalit pranë ndërmarrjes bëjnë me dije se shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Sipas tyre, me krijimin e ndërmarrjes së re dhe bartjen eventuale të një pjese të shërbimeve e kompetencave, së paku 600 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa vend pune.
Kjo shifër nuk është bërë publike apo konfirmuar zyrtarisht nga Komuna dhe Sinjali e publikon si informacion nga burime pranë ndërmarrjes.
Për këta njerëz, megjithatë, votimi i sotëm nuk është lojë numrash.
Janë vende pune. Janë paga. Janë familje që presin të dinë nëse ndërmarrja ku kanë punuar prej vitesh do të vazhdojë ta ketë të njëjtin rol, apo nëse krijimi i një kompanie tjetër për të njëjtin sektor do t’i lërë qindra prej tyre jashtë.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shihet gjendja e kryeqytetit.
Prishtina vazhdon të përballet me probleme serioze me mbeturinat. Vetëm një ditë para votimit, më 24 shtator, janë dokumentuar grumbuj mbeturinash jashtë kontejnerëve në disa lagje të qytetit, ndërsa problemi është përsëritur gjatë muajve të fundit.
Përparim Rama e ka argumentuar ndërmarrjen e re me nevojën që Prishtina të krijojë kapacitete të reja komunale për menaxhimin e mbeturinave dhe e ka paraqitur atë si zgjidhje për problemin e pastrimit.
Por votimi i sotëm hap një tjetër çështje.
Çfarë ndryshoi për dy javë?
Si ndodhi që propozimi që më 11 shtator nuk i kishte 34 votat, sot i siguroi ato?
Çfarë i bëri bashkë pikërisht te “Pastrimi” dy blloqe që, sipas burimeve të Sinjalit, deri tash kishin qëndruar të ndara?
Dhe, mbi të gjitha, a do ta paguajnë punëtorët e KRM “Pastrimi” çmimin e kësaj matematike të re politike sepse pas votimit të sotëm një gjë është e qartë.
11 me Përparimin. 4 me Lumirin. Dallimet u shkrinë.
Ndërsa në “Pastrimi”, sipas burimeve të Sinjalit, së paku 600 punëtorë presin me ankth të mësojnë nëse nesër do ta kenë ende vendin e tyre të punës.