Autoritetet e Malit të Zi kanë bllokuar një ngarkesë prej 24 tonësh mish viçi të ngrirë, me afat të skaduar, e cila ishte destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”.

Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, kontejneri është ndaluar të enjten nga autoritetet doganore në Portin e Tivarit.

Administrata Doganore e Malit të Zi ka bërë të ditur se gjatë kontrollit të kryer më 24 shtator janë gjetur gjithsej 1,321 paketa me mish, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Sipas autoriteteve, afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj 2026.

Rasti vjen rreth një javë pasi autoritetet malazeze ndaluan edhe tre kontejnerë të tjerë me rreth 77 tonë mish viçi, ku u konstatua se deklaratat origjinale me afatin e skaduar ishin zëvendësuar me dokumente ku ishte shënuar një afat tjetër përdorimi.

Autoritetet malazeze kanë bërë të ditur se mishi nga këta tre kontejnerë do të asgjësohet pas përfundimit të procedurave ligjore.

Për rastet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave, me qëllim që administratat e tjera doganore të jenë të informuara për tentimet e dyshuara për shpërndarjen e mishit me afat të skaduar.