Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Prelez i Muhaxherëve në Ferizaj, ku një 68-vjeçare ka denoncuar djalin e saj për kanosje dhe vjedhje.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Q.B., 30-vjeçar, shtetas amerikan, i cili jeton me prindërit e tij.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nëna e tij, I.B., ka deklaruar se djali konsumon alkool dhe se mbrëmjen e 23 shtatorit, rreth orës 23:00, kishte thyer disa orendi shtëpiake dhe dyshohet se e kishte kanosur.

Por rasti nuk përfundon me kaq.

Sipas denoncimit të 68-vjeçares, po atë ditë, rreth orës 13:00, Q.B. dyshohet se i kishte marrë një unazë ari nga gjërat e saj personale dhe më pas e kishte shitur për 250 euro.

Burimet bëjnë me dije se i dyshuari është intervistuar lidhur me rastin. Ai ka pranuar se ia kishte marrë nënës unazën, por ka mohuar se e kishte kanosur.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me vendim të të cilit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Ferizaj.

Rasti po trajtohet për veprat penale “Kanosja” në kuadër të dhunës në familje dhe “Vjedhja”, ndërsa me rastin po merret Njësia për Dhunë në Familje.