Sinjali ka mësuar identitetin e inspektorit komunal në Rahovec, i cili është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Metush Ismën, 56-vjeçar, ndaj të cilit janë zhvilluar hetime për dyshimet se gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka kërkuar dhe pranuar para nga pronarë të bizneseve të ndryshme.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, shumat e dyshuara të ryshfetit kanë lëvizur nga 300 deri në 500 euro për rast, ndërsa biznesmenëve dyshohet se u premtohej se, në këmbim të pagesës, nuk do të kontrolloheshin apo ndëshkoheshin nga inspektorët.
Hetimet janë zhvilluar nga njësitë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, ndërsa në kuadër të tyre janë zbatuar edhe masa të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.
Më 24 shtator, me urdhër të gjykatës, janë kontrolluar ambientet e punës në objektet e Komunës së Rahovecit, si dhe veturat private dhe zyrtare të përdorura nga i dyshuari.
Gjatë kontrolleve është sekuestruar një telefon mobil Samsung, ndërsa nuk janë gjetur prova të tjera materiale që do të mund të shërbenin në procedurë penale.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Metush Isma është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.