Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, ndaj 20 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës gjatë viteve 1998-1999.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Aktakuza i ngarkon M.K.-në, në cilësinë e ish-shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç.-në si ish-komandant i Njësive të Policisë së Posaçme (PJP), si dhe M.D.-në në cilësinë e ish-komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore.
Sipas Prokurorisë, ata, së bashku me 17 të pandehurit e tjerë, dyshohet se morën pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor gjatë të cilit u vranë 107 civilë.
Sipas aktakuzës, gjatë operacionit forcat serbe fillimisht ndanë gratë dhe fëmijët nga burrat.
Prokuroria pretendon se grave u janë marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar në shtëpitë dhe oborret e tyre, si dhe në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”.
Aktakuza po ashtu thekson se gjatë operacionit janë djegur edhe shtëpitë e civilëve.
Prokuroria Speciale ka propozuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rastet kur të akuzuarit nuk janë të qasshëm për organet e drejtësisë./Telegrafi.