Fenomeni i narkotikëve vazhdon të mbetet shqetësues në kryeqytet. Një tjetër i ri ka përfunduar nën hetim, pasi Policia i gjeti një sasi marihuane të fshehur në veturën që drejtonte.

Sinjali mëson se i dyshuari është Granit Mazreku rreth 21-vjeçar.

Sipas burimeve, rreth orës 22:15, njësia reaguese e Policisë, gjatë një pike kontrolli në rrugën “Hekurudha” në Prishtinë, ka ndaluar një veturë Mercedes me targa vendore.

Gjatë kontrollit, drejtuesi i automjetit ka deklaruar vetë se posedonte substancë të dyshuar narkotike, të cilën e kishte fshehur në derën e përparme të pasagjerit.

Pas kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 9.61 gram marihuanë, e cila është marrë në cilësinë e provës materiale.

Për rastin janë njoftuar hetuesit e stacionit, Njësia Rajonale Antidrogë dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Pas intervistimit, Granit Mazreku është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Rasti është një tjetër sinjal alarmi për përhapjen e narkotikëve, veçanërisht te të rinjtë, fenomen që Policia po tenton ta godasë përmes kontrolleve të shtuara në kuadër të planit operacional.