Një rast i dhunës në familje është raportuar në orët e para të së enjtes në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë psikike dhe kanosje, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është I.S, 48-vjeçar, i cili është arrestuar dhe më pas është dërguar në ndalim policor.
Rasti është raportuar më 3 shtator, rreth orës 01:50, kur Policia ka pranuar informatën për dhunë në familje dhe një njësi policore është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Palët e përfshira janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku kanë nisur procedurat hetimore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima, N.S, 43-vjeçare, gjatë deklaratës së dhënë në prani të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale dhe hetuesit për dhunë në familje, ka deklaruar se vazhdimisht përballet me dhunë psikike nga bashkëshorti i saj.
Ajo ka deklaruar se gjatë natës së fundit bashkëshorti dyshohet se edhe e ka kanosur.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar edhe një i mitur në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar për rastet e dhunës në familje, rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosja”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Rasti po hetohet nga organet kompetente.