Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar një person tjetër të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin Potokut.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi është kryer më 2 gusht 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

I arrestuari, i identifikuar me inicialet J.R., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe prokurorët, në kuadër të përpjekjeve institucionale për hetimin dhe zbardhjen e rasteve të krimeve të luftës.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se do të vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, ndërsa opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejshme. /Telegrafi/