Një person është plagosur me armë zjarri të hënën pasdite në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

“Bazuar në informacionet fillestare, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Të dy personat, viktima dhe i dyshuari, janë meshkuj, shtetas të Republikës së Kosovës dhe të moshës madhore”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka thënë se njësitë relevante policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

Ndërkohë, Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se i plagosuri është sjellë në Shërbimin Emergjent rreth orës 16:25.

“Sot, rreth orës 16:25, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ në Gjakovë është sjellë një pacient i plagosur me armë zjarri. Menjëherë pas pranimit, pacientit i janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe shërbimet e nevojshme mjekësore dhe i është ofruar trajtimi përkatës”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Sipas spitalit, pacienti është shtrirë për trajtim të mëtejmë dhe aktualisht është në gjendje stabile.

Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanave që çuan deri te plagosja.