Njësia Rajonale e Hetimeve në Gjakovë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrim”.

Sipas Policisë, hetuesit kanë zbatuar masa të veçanta hetimore dhe kanë arritur t’i kapin të dyshuarit në flagrancë gjatë marrjes së pagesave të kamatës nga viktima.

Me urdhër të Gjykatës, është kryer kontroll në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë gjetur edhe disa fishekë.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre janë iniciuar raste edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.