Inxhinierët italianë të Komandës Rajonale-Perëndim (RC-W) të KFOR-it kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh për zbulimin dhe vlerësimin e rrugëve dhe infrastrukturës në Deçan.

Sipas KFOR-it, gjatë këtyre aktiviteteve janë inspektuar ura dhe rrjeti rrugor, me qëllim vlerësimin e gjendjes së tyre dhe identifikimin e kufizimeve të mundshme që mund të ndikojnë në lëvizshmëri.

KFOR-i ka theksuar se këto aktivitete i mundësojnë të ruajë vetëdijen mbi situatën në terren dhe të kontribuojë në lirinë e lëvizjes dhe në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Misioni ka rikujtuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX, në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.