Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prizren ka rezultuar me arrestimin e një 26-vjeçari, pasi gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur kokainë, para të gatshme dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e narkotikëve.

Sinjali mëson se i dyshuari është Ardi Bytyqi, 26 vjeçar.

Sipas burimeve, bastisja është zhvilluar paraditen e 6 gushtit në rrugën “Hamdi Morina”, në bazë të një urdhër-kontrolli të Gjykatës, në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, pas informacioneve të siguruara paraprakisht nga qytetarët.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, Policia ka sekuestruar:7.88 gram kokainë, me vlerë të përafërt rreth 700 euro në tregun ilegal; Një peshore elektronike; 12 qese plastike të zbrazëta, që dyshohet se shërbenin për paketimin e narkotikëve; 2,065 euro para të gatshme; 20 dollarë amerikanë; dhe një telefon mobil.

Pas përfundimit të bastisjes, Ardi Bytyqi është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me aktvendim me shkrim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, me dyshimin për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.