Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me ngjarjen tragjike në Kërvasari të Malishevës, ku 24-vjeçarja Jetlira Bytyqi humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri, ndërsa bashkëshorti i saj, Egzon Bytyqi (2000), po trajtohet si i dyshuar në rastin që tashmë është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Sinjali ka siguruar informacione të reja lidhur me të dyshuarin dhe rrethanat që i kanë paraprirë ngjarjes.
Sipas të dhënave të rastit, Egzon Bytyqi kishte rreth katër vite që jetonte dhe punonte në Gjermani, ndërsa në Kosovë ishte kthyer vetëm rreth një muaj para tragjedisë.
Familjarët kanë deklaruar para autoriteteve se gjatë kohës së fundit ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor në Gjermani. Këto janë deklarime të familjarëve të evidentuara në informacionet fillestare të rastit dhe jo konstatime mjekësore të verifikuara.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit, rreth orës 23:00, kur Policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri në Kërvasari.
Kur patrullat policore dhe ekipet emergjente mbërritën në shtëpi, Jetlira dhe Egzon Bytyqi u gjetën të plagosur me armë zjarri në dhomën e gjumit.
Të dy u dërguan me urgjencë në QKUK, por rreth orës 01:10 u konfirmua se 24-vjeçarja nuk u kishte mbijetuar plagëve.
Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me armën.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në vendngjarje është gjetur arma që dyshohet se është përdorur në rast. Ajo dyshohet se i përket babait të Egzon Bytyqit, i cili ka deklaruar se e posedonte me leje.
Në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet tashmë pritet të zbardhin dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin dhe mënyrën se si arma përfundoi në vendin ku çifti u gjet i plagosur.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.